Me mbështetjen e Programit “Zhvillimi i Aftësive për Punësim” (2014-2018), i financuar nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe i zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve dhe Biznes Albania organizuan, më datën 21 shtator 2015 në mjediset e Biznes Albania, një takim lancues të projektit për rishikimin e Listës Kombëtare të Profesioneve dhe finalizimin e përshkrimeve përkatëse të profesioneve me pjesëmarrjen e ekspertizës e cila do të mundësojë zbatimin e këtij projekti, gjate periudhes shtator 2015-janar 2016.
Në takim u bë prezantimi i projektit dhe i rolit të Biznes Albania në zbatimin e këtij projekti nga Z. Koli Sinjari, drejtor i projekteve të Biznes Albania dhe Dajna Sorensen, Zëvendës Drejtore e programit “Zhvillimi i Aftësive për Punësim” i UNDP.
Takimi vazhdoi me prezantimin nga Zj. Ejvis Gishti, Përgjegjëse në Sektorin e Profesioneve dhe Kualifikimeve Profesionale të AKAFPK-së, lidhur me kornizën logjike të Listës Kombëtare të Profesioneve, gjendjen aktuale e saj, si dhe aspektet metodologjike të procesit të hartimit të përshkrimeve të profesioneve dhe rishikimit të Listës Kombëtare të Profesioneve. Gjithashtu, u diskutua lidhur me planifikimin dhe koordinimin e aktiviteteve të ardhshme për përmbushjen me sukses të këtij projekti.