Më datat 23 dhe 24 maj 2023, u mbajt në Bar të Malit të Zi Takimi rajonal për zhvillimin e dokumentit- ‘Vlerësimi i jashtëm i institucioneve – Praktikat më të mira nga Bashkimi Evropian dhe Evropa Juglindore’, organizuar nga ERI SEE me qëllim përmirësimin e procesit të vlerësimit të jashtëm në rajon.
Në takim ishin pjesëmarrës Grupi Rajonal i Punës, i përbërë nga Pikat Kombëtare të Koordinimit (NCP) të EQET SEE për Sigurimin e Cilësisë dhe ekspertë të emëruar nga secila ekonomi: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova*, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duke përfshirë Përfaqësuesit e ERI SEE-së, ekspertin holandez për vlerësimin e jashtëm Z. Herman Franssen, Inspektoren skoceze Z. Tracie McEwan si dhe inspektoret portugeze Z. Isabela Barata dhe Z. Rosa Micaelo.
Gjatë këtij takimi u prezantuan metodologjite e vlerësimit të jashtëm të ekspertëve nga Inspektoriati i Arsimit Skocez dhe Inspektorati i Përgjithshëm i Arsimit dhe Shkencës së Portugalisë, u shkëmbyen eksperiencat si dhe u konsolidua versioni përfundimtar i dokumentit.
Dokumenti ‘Vlerësimi i jashtëm i institucioneve – Praktikat më të mira nga Bashkimi Evropian dhe Evropa Juglindore’ synon të përmirësojë procesin e vlerësimit të jashtëm në rajon përmes të mësuarit nga kolegët dhe të inkurajojë reflektimin, inovacionin dhe shkëmbimin midis kolegëve. Ai do të shërbejë gjithashtu si mjet për të mbështetur vizionin e politikave rajonale për optimizimin e ndikimit të vlerësimit të jashtëm të institucioneve në Europën Juglindore dhe Republikën e Moldavisë, i përpunuar më parë në kuadër të projektit EQET SEE.