Akreditimi: Garancia që aftësitë vlejnë për biznesin

Akreditimi u jep punëdhënësve më shumë besim për të investuar te punonjësit e ardhshëm, që njihen për atë që dinë të bëjnë.

 

Për një punëdhënës, sfida më e madhe nuk është vetëm të gjejë njerëz që kanë një certifikatë, por të gjejë njerëz që dinë realisht të punojnë, të përshtaten me ritmin e punës, të respektojnë standardet dhe të sjellin vlerë në biznes. Pikërisht këtu akreditimi i institucioneve të arsimit dhe formimit profesional merr rëndësi.

 

Akreditimi rrit besimin në rekrutim

Ai i jep sektorit privat një garanci më të madhe se aftësitë, njohuritë dhe kompetencat e fituara nga kandidati janë zhvilluar në një institucion që funksionon me standarde të qarta, me kërkesa të verifikueshme dhe me mekanizma të vazhdueshëm të sigurimit të cilësisë.
Një institucion i akredituar nuk vlerësohet në mënyrë të përgjithshme ose formale, por mbi bazën e standardeve, treguesve dhe kritereve konkrete. Përmbushja e tyre është kusht për marrjen e akreditimit. Për biznesin, kjo e bën më të besueshme certifikatën dhe më të fortë sinjalin që ajo jep për cilësinë e formimit që ka marrë individi.

Akreditimi lidh kualifikimin profesional me tregun e punës

Akreditimi ka vlerë sepse rrit lidhjen midis kualifikimit profesional në një institucion të arsimit dhe formimit profesional dhe nevojave të tregut të punës. Marrëdhënia dhe bashkëpunimi me biznesin është një element thelbësor i kornizës së akreditimit. Në bazë të standardeve dhe kritereve të qarta, institucioni ofrues i arsimit dhe formimit profesional duhet të identifikojë partnerët e biznesit në planet e veta, të komunikojë rregullisht me ta, të mbledhë informacion mbi kënaqësinë dhe të mbajë të dhëna për rezultatet e bashkëpunimit, sidomos për aftësimin praktik dhe vlerësimin e programeve.
Kjo do të thotë se, në një institucion të akredituar, biznesi nuk shihet si palë e jashtme, por si pjesë e domosdoshme e cilësisë së ofertës. Për punëdhënësin, kjo përkthehet në punonjës më të afërt me realitetin e punës dhe me kërkesat konkrete të profesionit.

Akreditimi rrit besueshmërinë e rezultateve të të nxënit

Korniza e akreditimit kërkon jo vetëm kurrikulë të zbatuar në përputhje me nivelet dhe kualifikimet e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, por edhe planifikim të procesit mësimor, ndjekje të rezultateve të të nxënit, zbatim cilësor të mësimdhënies, rishikim për përmirësim dhe vlerësim të vazhduar e përfundimtar.
Kjo do të thotë se punonjësi i ardhshëm nuk del nga sistemi vetëm me orë mësimi të kryera, por me aftësi që janë përvetësuar, matur dhe vlerësuar. Për sektorin privat, kjo rrit gjasat që certifikata të pasqyrojë kompetencë reale dhe jo vetëm pjesëmarrje.

Akreditimi është garancia se cilësia nuk është rastësi

Për t’u akredituar, institucioni ofrues i arsimit dhe formimit profesional duhet të ketë mekanizma të brendshëm të sigurimit të cilësisë, ekip cilësie, vetëvlerësim të rregullt, vlerësim të jashtëm dhe plane për përmirësim. Pra, cilësia nuk është një moment i vetëm, por një proces i vazhdueshëm.
Për sektorin privat, kjo do të thotë më shumë besim se partneriteti me një ofrues të akredituar është bashkëpunim me një institucion që mat veten, korrigjon dobësitë dhe synon të përputhet më mirë me zhvillimet e tregut dhe të teknologjisë.

Nëpërmjet akreditimit, sistemi i arsimit dhe formimit profesional i ofron biznesit më shumë siguri në përzgjedhjen e stafit, më shumë qartësi për nivelin real të aftësive dhe më shumë mundësi për të bashkëpunuar me institucione që e shohin biznesin si partner në ndërtimin e cilësisë.