Kushtet për nisjen e procesit të akreditimit

Institucionet publike dhe jopublike që ofrojnë arsim dhe formim profesional mund të aplikojnë për akreditim duke përmbushur standardet dhe kriteret e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Për të nisur procesin e akreditimit, ofruesi publik ose jopublik i arsimit dhe formimit profesional duhet, paraprakisht, të jetë subjekt i fushës së zbatimit të legjislacionit të arsimit dhe formimit profesional në tërësi dhe, më konkretisht, i fushës së zbatimit të “Rregullores për standardet, kriteret dhe procedurat e akreditimit të ofruesve të arsimit dhe formimit profesional”, miratuar me urdhrin nr. 845, datë 3 korrik 2025 të Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Sipas kësaj rregulloreje, procesit të akreditimit i nënshtrohen ofruesit që ofrojnë programe që çojnë në kualifikime profesionale të plota dhe/ose të pjesshme, të referuara në nivelet 2–5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, përfshirë validimin e të nxënit joformal dhe informal dhe kualifikimet e të nxënit gjatë gjithë jetës.

 

 

Si nis procesi i akreditimit?

Për të nisur procesin e akreditimit, ofruesi duhet:

1. Të jetë ofrues publik ose jopublik i AFP-së që ofron kualifikime në nivelet 2–5 të KSHK-së

Procesi i akreditimit zbatohet për institucionet që ofrojnë kualifikime profesionale të plota dhe/ose të pjesshme të lidhura me nivelet 2–5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.


2. Të marrë masa për aplikim brenda afatit të përcaktuar

Institucionet që synojnë të nisin ofrimin e kualifikimeve profesionale të plota duhet të marrin masa për dorëzimin e kërkesës për akreditim të paktën 6 muaj përpara afatit të planifikuar për nisjen e ofrimit të këtyre kualifikimeve. I njëjti afat vlen edhe për riakreditimin, pra 6 muaj përpara përfundimit të vlefshmërisë së akreditimit aktual. Për ofruesit e kualifikimeve të pjesshme të të nxënit gjatë gjithë jetës, duhet të merret në konsideratë koha e nevojshme për realizimin e procesit të akreditimit.


3. Të dorëzojë kërkesën zyrtare për akreditim

Ofruesi duhet të paraqesë kërkesën zyrtare për akreditim sipas formatit të përcaktuar në shtojcën përkatëse të rregullores. (Shkarko Shtojca 2)


4. Të ketë paguar tarifën e aplikimit

Kërkesa për akreditim duhet të shoqërohet me dokumentin që vërteton pagesën e tarifës së aplikimit për akreditim.


5. Të ketë dokumentin e hapjes, riorganizimit ose licencës

Ofruesi duhet të disponojë dokumentin përkatës që provon hapjen, riorganizimin ose licencimin si ofrues jopublik i AFP-së, sipas rastit.


6. Të ketë të përcaktuar dhe të dokumentuar organizimin institucional

Për nisjen e procesit të akreditimit, ofruesi duhet të paraqesë:

  • një përshkrim të shkurtër të institucionit dhe të historikut të veprimtarisë së tij;
  • organigramën e institucionit;
  • rregulloren e brendshme të institucionit.

7. Të ketë dokumentacion të rregullt për shfrytëzimin e mjediseve

Institucioni duhet të paraqesë dokument pronësie ose qiraje, të vlefshëm për periudhën e vlefshmërisë së akreditimit.


8. Të ketë ngritur mekanizmat e brendshëm të sigurimit të cilësisë

Ofruesi duhet të ketë:

  • aktin administrativ për ngritjen e ekipit të sigurimit të brendshëm të cilësisë;
  • aktin administrativ për ngritjen e komisionit të shëndetit, sigurisë, mirëmbajtjes dhe mjedisit, ose të strukturës ekuivalente që ushtron këto funksione.

9. Të ketë kryer vetëvlerësimin

Kërkesa për akreditim duhet të shoqërohet me raportin e vitit të fundit të vetëvlerësimit për pesë fushat e cilësisë, sipas formatit të përcaktuar në rregullore. Po ashtu, për ofruesit jopublikë, me përjashtim të ofruesve të rinj, vetëvlerësimi duhet të jetë kryer paraprakisht sipas udhëzimit përkatës. Për ofruesit publikë, vetëvlerësimi zbatohet çdo vit. (Shkarko Shtojca 3).
Për të realizuar procesin, mund t’i referoheni Udhëzimit për Vetëvlerësimin. (Shkarko Udhëzuesin e Vetëvlerësimit)


10. Të ketë planifikim institucional dhe financiar

Institucioni duhet të paraqesë:

  • planin afatmesëm të miratuar për katër vitet e ardhshme, së bashku me parashikimet financiare përkatëse, përfshirë proceset e sigurimit të cilësisë;
  • planin vjetor aktual të miratuar, që përfshin proceset e sigurimit të cilësisë.

11. Të ketë bazën kurrikulare dhe dokumentacionin për kualifikimet për të cilat kërkon akreditim

Ofruesi duhet të paraqesë standardet e profesioneve, standardet e kualifikimeve që vërtetojnë përfshirjen e tyre në Katalogun Kombëtar të Kualifikimeve Profesionale, si dhe dokumentet kurrikulare për kualifikimet për të cilat kërkon akreditim. Për ofruesit publikë kërkohen kurrikulat në nivel shkolle, ndërsa për ofruesit jopublikë kurrikulat bazë.


12. Të ketë personelin e nevojshëm dhe dokumentacionin përkatës

Institucioni duhet të paraqesë:

  • listën e personelit drejtues, mësimdhënës dhe mbështetës për kualifikimet për të cilat aplikon;
  • kualifikimet dhe përvojën e tyre;
  • CV-të sipas formatit Europass; (Shkarko modelin e CV)
  • kontratat e punës të vlefshme për periudhën për të cilën kërkohet akreditimi.

13. Të ketë infrastrukturën, mjediset dhe pajisjet e nevojshme

Ofruesi duhet të paraqesë listat e klasave, laboratorëve, mjediseve të praktikës profesionale, pajisjeve, teksteve shkollore dhe materialeve ndihmëse për mësimdhënie, për kualifikimet për të cilat aplikon.


14. Të ketë marrëveshje bashkëpunimi me biznesin, nëse ka

Nëse ekzistojnë, duhet të paraqiten marrëveshjet kuadër të bashkëpunimit me punëdhënësit ose sektorin e biznesit për realizimin e praktikave profesionale.


15. Të ketë autorizimet dhe certifikatat e kërkuara nga legjislacioni në fuqi

Ofruesi duhet të disponojë dhe të paraqesë:

  • autorizimet e shëndetit publik;
  • certifikatat e sigurisë nga zjarri;
  • si dhe autorizime të tjera që kërkohen nga legjislacioni në fuqi për ofruesit e AFP-së.

16. Të dorëzojë dokumentacionin në mënyrën e përcaktuar

Dorëzimi i kërkesës për aplikim dhe i dokumenteve shoqëruese bëhet me postë të thjeshtë dhe nëpërmjet postës elektronike.


Çfarë ndodh pas dorëzimit të kërkesës?

Pas dorëzimit të kërkesës, AKAFPK shqyrton plotësinë dhe saktësinë e dokumentacionit. Nëse ka mungesa ose pasaktësi, ofruesit i kërkohet t’i plotësojë ose korrigjojë ato brenda 10 ditëve pune. Vetëm nëse kërkesa dhe dokumentacioni janë të sakta dhe të plota, miratohet vijimi i procedurës së akreditimit.

Shënim i rëndësishëm

Procesi i akreditimit nuk fillon vetëm me paraqitjen e kërkesës, por me përgatitjen reale të institucionit për të provuar, përmes dokumenteve, evidencave dhe mekanizmave të brendshëm të cilësisë, se është në përputhje me standardet dhe kriteret e përcaktuara në rregullore.